martedì 15 ottobre 2013

PROFIL-Dr.Zenel Kazhani



Dr. Zenel Kazhani (5 Maj 1934 - 7 Dhjetor 1992)

Dr. Zenel Kazhani 
(5 Maj 1934 - 7 Dhjetor 1992) 
është mjeku i parë 
i rrethit të Matit për periudhën 
pas luftës së dytë botërore,
 i lindur në Burgajet
dhe rritur e jetuar në Burrel. 


Familja njihet për traditat në rrafshin e bujqësisë. Në moshën 10 vjeçare bëhet pjesë aktive e luftës shqiptare ndaj pushtuesit nazifashist. Në vitin 1948 dallohet si vullnetar në ngritjen e hekurudhës Peqin-Elbasan. Kryen arsimin në shkollën shtatë vjeçare, më tej gjimnazin në shkollën e mesme mjekësore dhe në vijim pas akordimit në 1949 të bursës në Politeknikumin kombëtar mjekësor studion për mjekësi në Institutin Mjekësor në Tiranë duke u kulmuar me rezultate maksimale në diplomimin e vitit 1952.


• Nëntor 1957- emërohet mjek në Spitalin e Burrelit. Doktor Zeneli kulmohet në përkushtimin për ti shërbyer vendlindjes dhe matjanëve edhe pse në vështirësi në hapat e para të rimëkëmbjes së sistemit shëndetsor mbas luftërave botërore.


• 1959- zgjidhet drejtor i qendrës shëndetësore të Burrelit dhe në vitin 1960 shef i shëndetsisë për mbarë rrethin e Matit. Dhjetë vjet drejton Spitalin e Burrelit duke kontribuar në mënyrë themeltare për ngritjen e Spitalit të Ri.


• 1978 –Përfundon me sukses kursin pasuniversitar si mjek infeksionist dhe punon i specializuar duke ndjekur deri në fund shërimin e sëmundjeve infektive në popullatën e prekur gjerësisht.

• Zgjidhet deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë gjatë diktaturës si njeri idealist e i butë dhe për më tepër si profesionist ekselent në mjekësi.

• Njihet si mjeku dhe organizatori drejtues i shëndetsisë me autoritet absolut e të padiskutueshëm në mbarë trevat e Matit ku ndoqi shtrat më shtrat, shtëpi më shtëpi, e fshat më fshat deri në shërimin lëngatat e dhimbjen e dhjetëra mijëra të sëmure mirënjohja e të cilëve është dhe emblema e tij prej humanisti të shenjuar.



  • Vepra humanitare e rendit Zenel Kazhanin në aktet e shërbimit shëndetsor në qendrat rurale si Derjan, Klos, Martanesh e Krastë. Në mënyrë sistematike Dr. Zeneli njihej për organizimin e kontrolleve e ndihmave me grupe ekspertësh në aktivitete farmaceutike e stomatologjike edhe jashtë sferës së profilit të tij si mjeshtër infeksionist. Këto misione ishin informale dhe zgjatnin me ditë deri në orët e mbrame të natës.



DR.ZENEL&LULE KAZHANI.
  • Vepra tregohet tek njohja në detaje të aktivitetit ekonomik e financiar të spitalit me inspektimin dhe kontrollon e imët të ushqimit, lavanterisë , menaxhimin e drejtë të medikamenteve. Në punën e efektshme të autoambulancave dëshmoi interesin dhe vlerësimin maksimal me postulatin se "kur nuk shkojnë mirë punët e prapavijës, nuk ka sesi të rrjedhin mirë krejt sektorët e Shëndetësisë".

  • Monografia e autorëve Bashkim dhe Petrit Frangu "Mirënjohje për njerëzit që kanë ikur” në qasje enciklopedike ndaj personaliteteve të rrethit të Matit, e skicon portretin e Doktor Zenelit si ish student i sapodiplomuar në politeknikumin mjeksor të Tiranës me nota të larta emocionale.

  • Personalitete shtetëror ndër dhjetëvjeçarë si ish Ministri i Shëndetsisë Ciril Pistoli, zëvendës ministrja Vera Pojani, në dokumentacionin e vlerësimit të punës së tij përtej 35 vjetarit zyrtar, artikulohen maksimalisht ndaj korrektesës model dhe përkushtimit të pandalshëm. Thuhet se institucioni të cilin Zenel Kazhani e drejton krahasuar me vitet para ardhjes së tij ka pësuar shndërrime të dukshme, veçmas në drejtim të shërbimit të personelit, higjienës ekstreme, rregullit e disiplinës spitalore. Rrjedhoja e ndryshimit ishte titulli i fituar asokohe i Spitalit të Burrelit si "Institucioni i 25 Vjetorit”.



  • Ringritësi i mjekësisë në rrethin e Matit, Zenel Kazhani veçohet me profesionalizmin dhe njohjen shkencore që materializoheshin në prekjen fshat më fshat e shtëpi te njerzit që vuanin lëngatat e sëmundjeve infektive. Vlersimi ndaj njeriut të afërt, duke i qëndruar me orë e ditë mbi krye deri në shërimin e plotë e vendos Doktor Zenelin si simbolin i përkushtimit njerzor përtej bluzës së bardhë. Pasardhës i familjes burgajetase të respektuar Kazhani dhe emri i mirë i mjekut të papërsëritshëm i tejkaloi kufijtë krahinorë për të mbërritur te vlera e shëndetit si bukuria e jetës.

  • Kufizimi i pashmangshëm i luftës brenda llojit që zbatohej gjatë diktaturës prej kastës drejtuese të Partisë së Punës, nuk u kursye edhe ndaj Personalitetit të Doktor Zenelit duke e sulmuar mbi origjinën e familjes dhe pikërisht për faktin që xhaxhai i tij kish qenë një oficer i lartë i Mbretit Zog. Ndëshkimi ishte shkarkimi i menjëhershëm nga posti i drejtorit të spitalit dhe transferimin për specializim në Tiranë.Në situatën e nderë pas goditjes nga pushteti diktatorial, Dr. Zeneli jep një përgjigje lakonike : “Mbaj përgjegjësi për të gjitha të metat që kanë vartësit e mi si drejtor i Spitalit të Burrelit!”
  • Vepra e studiuesit Ferit Këputa me titull "Vështrim Historik mbi Shërbimin Shëndetësor në Mat" shpërfaq edhe portretin e Zenel Kazhanit, në mënyrë sintetike biografinë profesionale dhe momentet e kulmuara të veprës si drejtues dhe zbatues në praktikë i njohurive shkencore.







  • Nga rrëfimet e familjarëve më të afërt si nga bashkshortja zonja Lule Kazhani me detyrën kryemami në këtë spital, pasqyrohet me dashuri dhe objektivitet figura e një babai të kompletuar, profesionisti të përgjegjshëm për të cilin janë dhjetëra mijëra familje të rrethinave të Matit, që veç mirënjohjes dëshmojnë për jetën e mjekut me vlerësimin më të lartë komunitar.
  • Megjithëse për asnjë sekondë nuk iu largua detyrës së shpëtimtarit të të sëmurëve dhe netëve të panumërta të gdhira jashtë vatrës familjare,Doktor Zeneli diti të dojë dhe të gjejë kohë aktive për t' ia zbukuruar të jetuarin të dashurve të zemrës.



  • Si deputet i Matit, personifikon faktorin vendimtar të ngritjes së Spitalit të Burrelit. Këmbëngulja e vullneti i pandërprerë mundësuan edhe ngritjen e qendrave shëndetsore në Macukull, Lis e Baz dhe në zhdukjen e disa sëmundjeve ngjitëse të kohës, uljen e vdekshmërisë foshnjore, progresin e kulturës shëndetsore deri në higjenën familjare matiane.

  • Spitali i Burrelit, ka plotësuar edhe boshllëkun e mungesës së mjekëve specialistë të spitalit të Bulqizës si reaminator, kirurg, otorino-laringolog, gjinekolog, aq të domosdoshëm në kushtet kur në rajonin krommbajtës të Bulqizës veprojnë mbi 1300 minatorë që përballen në mënyrë permanente me aksidentet e mundshme të punës në nëntokë.



  • Duke e kthyer autoritetin e merituar në dobi të popullatës, të pasurimit të laboratorëve të Spitalit të Burrelit , funksionimit të suksesshëm të autoambulancave në çdo skaj zonave pllajore dhe shpesh herë duke i shëtitur si këmbësor duke ua përzënë nga ana psikologjike e morale dhimbjet pacientëve, gdhendi në kujtesën e përgjithshme jo vetëm njeriun e mirë por burrin e zotë me vullnetin e duhur për ndryshim.


REFERENCA: 
1.Studimi nga autori Ferit Këputa - "Vështrim Historik mbi Shërbimin Shëndetësor në Mat". (http://www.toena.com.al/toena/katalogu_i_botimeve/monografi_ditare_kujtime/Ferit_Keputa.html) 2.Monografia e autorëve Bashkim,Petrit Frangu, Hamdi Hysuka- "Mirënjohje për njerëzit që kanë ikur”.(http://www.bksh.al/adlib/scripts/wwwopac.exe?&DATABASE=catalo&OPAC_URL=/adlib/expert/index_al.html&LANGUAGE=1&l1=Frangu,+Bashkim&LIMIT=50)

LIDHJE TE JASHTME DHE BURIME: